Gazetarët dhe punonjësit e News24 dhe Panorama vijojnë të mbahen jashtë redaksisë dhe ambienteve të tyre të punës, pavarësisht urdhrit të Gjykatës për rikthimin e tyre në ambientet e uzurpuara nga Policia e Shtetit, Policia Ushtarake dhe kompania private e sigurisë “Kayo” dhe për të marrë sendet persnale.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, punonjësit po presin prej më shumë se tre orësh para hyrjes së godinës, në temperatura të larta, pa mundësi për të hyrë dhe për të rikthyer sendet e marra nga autoritetet.

Policia Ushtarake refuzon të zbatojë vendimin gjyqësor, duke krijuar një situatë të pazakontë dhe të tensionuar.

Po ashtu, përfaqësuesit e shoqërisë private që duhet të marrin në dorëzim asetet e News24 dhe Panorama, sipas urdhrit të gjykatës, nuk po lejohen të kryejnë detyrën e tyre.

Ky zhvillim vjen pas ndërhyrjes së forcave policore dhe ushtarake në ambientet e News24, që kishte çuar në ndërprerjen e transmetimit të televizionit dhe pengimin e punës së stafit për disa ditë. Vendimi i Gjykatës ishte një hap drejt rikthimit të normalitetit, por refuzimi për ta zbatuar e ka bërë situatën më të ndërlikuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb