Avokati i Focus Media Group, Erjon Kanxheri, ka reaguar pas pengesave që gazetarët dhe stafi i News24 po përballen për të hyrë në redaksi dhe për të marrë asetet e tyre.
Sipas Kanxherit, në ambientet e uzurpuara aktualisht ndodhen materiale sensitive të sekuestruara nga Policia Ushtarake.
“Aty aktualisht ka materiale sensitive të sekuestruara nga KAYO dhe policia ushtarake. Ata e deklarojnë që nuk kanë punë nga godina tjetër, por sërish policia ushtarake nuk na lejon. Po përpiqen të mbyllin gjithë veprimtarinë mediatike. Kjo është ajo që po ndodh,” tha Kanxheri.
Avokati theksoi se përfaqësues të zyrës po bëjnë denoncime në polici për shkeljet e policisë ushtarake dhe veprimet abuzive të KAYO dhe përmbaruesve. “Kjo nuk është zonë ushtarake as regjiment. Përmbaruesit po bëjnë gabim, KAYO po ashtu edhe policia ushtarake. Këto janë veprime abuzive,” shtoi ai.
Deklarata vjen në një moment kur gazetarët e News24 vijojnë të mbahen jashtë ambientit të punës, pavarësisht vendimit të Gjykatës që urdhëron rikthimin e tyre dhe të aseteve të medias.
Kanxheri thekson se veprimet e ndërmarra po cenojnë të drejtën e stafit për të punuar dhe po pengojnë vazhdimësinë e veprimtarisë mediatike.
(BalkanWeb)
