Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka vijuar me intensitet puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas, njësia administrative Skënderbegas,bashkia Gramsh. Zjarri ka përfshirë një zonë të gjerë pyjore, duke kërkuar ndërhyrje të koordinuar nga disa njësi. Në terren janë angazhuar gjithsej:

• 30 forca zjarrfikëse me 11 automjete nga MZSH-të e Gramshit, Elbasanit, Cërrikut dhe Librazhdit;
• 60 forca bashkiake;
• 80 forca vullnetare;
• 70 efektivë të Forcave të Armatosura, të pajisur me 2 mjete zjarrfikëse.

Gjithashtu, janë përfshirë edhe operacione ajrore me 2 helikopterë,një çek dhe një sllovak,të cilët kanë asistuar në shuarjen e flakëve nga ajri.Pavarësisht terrenit të vështirë,operacioni po vijon me angazhimin maksimal të forcave vendore dhe mbështetje nga strukturat qendrore.

Ndërkohë,është ndërhyrë dhe është arritur të izolohet edhe zjarri i rënë në fshatin Kodovjat,pranë fshatit Posnovisht, njësia administrative Kodovjat. Gjatë natës,situata është mbajtur nën kontroll dhe në monitorim të vazhdueshëm nga forcat në terren.Zjarre aktive raportohen ende në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, njësia administrative Kukur,ku janë përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Sipas autoriteteve, deri më tani nuk ka pasur rrezik për banesat apo dëme në njerëz. Strukturat e emergjencës, në bashkëpunim me pushtetin vendor,FA dhe qytetarët vullnetarë, vijojnë punën për izolimin e plotë të vatrave dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga banorët e zonës, duke raportuar menjëherë çdo vatër të re zjarri.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: