Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së forcave shtetërore në godinën e News24, duke e cilësuar veprimin si autoritar, të dhunshëm dhe në shkelje flagrante të vendimit të gjykatës.

“Ndërhyrjet autoritare dhe të dhunshme, duke përdorur forcën e shtetit, siç ndodhi këtu në News24, janë të papranueshme, aq më tepër kur ka një vendim gjykate. Standardet demokratike janë shkelur me të dyja këmbët nga qeveria ndaj kësaj medie,” tha Kaso.

Ai theksoi se gazetarët e News24 kanë vendosur interesin publik mbi gjithçka, por shteti, ndonëse garanton në teori lirinë e medias, po vepron si “shtojcë e vullnetit të ministrit të Drejtësisë”, duke përdorur përmbarimin shtetëror për të penguar zbatimin e vendimit të gjykatës.

“Në vend që të ishin këtu për të marrë masa për zbatimin e vendimit, ata u sollën si patronazhistë, duke penguar çdo gazetar të hyjë në ambientin e punës,” u shpreh Kaso.

Ai kërkoi nisjen e një hetimi nga SPAK për urdhrat e jashtëligjshëm dhe veprimet që, sipas tij, janë kryer jashtë çdo parashikimi ligjor.

“Besoj se që nga urdhrat e jashtëligjshem që janë artikuluar, duke vepruar jashtë cdo parashikimi ligjor ka vend për një veprim nga SPAK dhe duhet të kishte nisur prej kohësh një hetim nga ky organ që shqiptarët i kanë besuar shumë. Megjithatë deri tani nuk ka vepruar duke u sjellë si shtojcë e mazhorancës,” deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb