Studentët në Serbi kanë njoftuar se do të vijojnë me tubimet protestuese edhe në mbrëmjen e sotme, pas ngjarjeve të tensionuara që ndodhën gjatë natës së 13 dhe 14 gushtit.
Përmes rrjeteve sociale, ata kanë shpërndarë vendet dhe oraret e tubimeve, duke ftuar qytetarët nga gjithë Serbia që të marrin pjesë në protesta. Në kryeqytetin Beograd, protestat pritet të fillojnë në orën 19:30. Një ditë më parë, tubime u mbajtën në rreth 30 qytete të ndryshme nën moton “Serbi, zgjohu”, ku përplasjet më të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit u regjistruan në Beograd dhe Novi Sad, kryesisht pranë selive të Partisë Progresive Serbe (SNS).
Për herë të parë në këto përplasje u përfshinë edhe ushtarë të Forcave të Armatosura Serbe, përfshirë anëtarë të njësisë elitare “Kobra”. Shtatë prej tyre u plagosën, ndërsa katër ushtarë pësuan lëndime serioze.
Studentët nënvizuan se protesta po zhvillohen si reagim ndaj dhunës së ushtruar në qytetin Vrbas, ku protestuesit u sulmuan nga mbështetës dhe anëtarë të partisë në pushtet me fishekzjarrë, gurë, shishe me ujë të ngrirë dhe objekte të tjera të rrezikshme.
