Doksan Dushku, i dënuar për vrasjen e vajzës së tij, Fatmira Dushku, me breshëri automatiku në vitin 2014, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar lehtësimin e dënimit.

Ai e ka bazuar kërkesën në shfuqizimin e një paragrafi të nenit 55 të Kodit Penal, që lidhej me bashkimin e dënimeve. Dushku kërkon që dënimi prej 21 vitesh burg të reduktohet në 14 vite.

Krimi që tronditi Dibrën
Ngjarja ndodhi natën mes 27 dhe 28 majit 2014 në fshatin Sllatinë, Dibër. Sipas hetimeve, Dushku dyshonte se vajza e tij, e pamartuar, ishte shtatzënë me një djalë nga fisi, çka ai e konsideronte turp. Ai kishte tentuar ta çonte për abort në spitalin e Peshkopisë, por nuk e kishte realizuar.

Në mbrëmjen e 27 majit, pas një debati në familje, Dushku mori një armë automatike dhe e qëlloi Fatmirën në oborrin e shtëpisë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, ai tentoi ta paraqiste vrasjen si vdekje natyrale, por policia zbuloi të vërtetën.

Gjykata për Krime të Rënda e dënoi me 21 vite burg, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb