Transmetimi i News24, pavarësisht bllokimit të godinës dhe moslejimit të gazetarëve, vijon transmetimit në kushte të improvizuara. Gazetari Klevin Muka, pasi intervistoi qytetarë të ndryshëm, bisedoi me gazetarët e News24.
E intervistuara e radhës ishte gazetarja Fatmira Nikolli, e cila ashtu si të gjithë të tjerët, ndihet e privuar të ushtrojë detyrën e saj. Nikolli tha ndër të tjera se janë shumë kauza të cilat nuk i ndjek dot për shkak të mos lejimit të hyjë në vendin e punës për përcjellë publikut çështje të rëndësishme, siç është ajo e Spaçit.
Fatmira Nikolli: “Në kompaninë mediatike që ka brenda edhe News24 jam prej vitit 2008, pra 17 vjet. Jam gazetare kulture, por aktualisht nuk jam, pasi këto ditë nuk e ushtroj dot profesionin si gazetare, pasi nuk më lejohet të hyjë në godinë. Ka çështje që janë në zhvillim, është ajo e Spaçit për shembull, janë turet që po bëjnë institucionet që po bëjnë në zonat turistike. Pra, lajme kulture me interes kombëtar ka sa të duash, por e kam të pamundur nga pezullimi që i është bërë Neës24.
Kam parë në shfaqje të ndryshme, teatro, kam lexuar në libra ku flitet për shoqëri që nuk janë të lira dhe kjo po ndodh edhe te ne, duke lënë mënjanë prizmin ligjor. Ne na cenohet puna jonë, e drejta për të informuar, ushtrimin e misionit dhe detyrës tonë, pasi Gjykata ka lejuar të gazetarët të rikthehen brenda godinës, por një shoqëri nuk lejon të futesh brenda sepse është shpallur zonë ushtarake.”
