Një operacion u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Berat.
U ekzekutuan 5 masa sigurie “Arrest në burg” për pjesëtarët e një grupi që shisnin lëndë narkotike dhe kultivonin bimë narkotike.
Gjatë operacionit, në fshatin Jaupas, Skrapar, u gjetën dhe u asgjësuan 122 bimë narkotike cannabis sativa.
Në kuadër të procedimit penal dhe veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, nga strukturat për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcën Operacionale të DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë Berat, u finalizua operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”, për goditjen e një grupi që kultivonte dhe shiste lëndë narkotike.
Gjatë këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve:
Markos Qama 25 vjeç dhe Serxho Hodo (Qama), 30 vjeç (vëllezër), banues në Poliçan;
Altin Zajmi, 41 vjeç, banues në fshatin Gostenckë, Skrapar;
Emiljano Kapllani, 33 vjeç, banues në Poliçan;
Sulejman Çelo 28 vjeç, banues në fshatin Jaupas, Skrapar.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryetari i fshatit Jaupas, Skrapar, shtetasi S. Ç., 46 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar Sulejman Çelo).
Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan 3 krehra arme zjarri automatike, 3 koka të dyshuara me përmbajtje eksplozivi, tub uji që dyshohet se furnizonte parcelën me 122 bimë narkotike.
Gjatë këtij operacioni u ushtruan 15 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera, ku u sekuestruan në total 1 armë gjahu çifte, lëndë narkotike cannabis sativa, 7 aparate celularë dhe shuma monetare, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
