Republikanët në përgjithësi e lavdëruan Trump-in për një qëndrim stoik dhe për përpjekjet drejt paqes pas takimit historik me Putin. Ndërsa demokratët e akuzuan presidentin se ishte shumë miqësor me Putinin.

“Presidenti Trump e bëri shumë të qartë që Putini është me shpinë pas murit dhe ai e demonstroi këtë qartësi me veprimin e tij të parë para se të thoshte një fjalë, me faktin që ngriti në ajër bombarduesit B-2 mbi kokën e Putinit,” tha përfaqësuesi republikan Brian Mast, nga Florida. “Kjo nuk ishte rastësi, sigurisht. Që ai të ngrinte në ajër një bombardues B-2 mbi kokën e Vladimir Putinit, ishte një sinjal për të që presidenti Trump po thotë: ‘Ej, mund të ketë pasoja shumë serioze.’”

Megjithatë, ndërsa Mast tha se e pa Trump-in duke sfiduar Putinin, demokrati nga Kalifornia, përfaqësuesi Eric Swalwell, e përshkroi samitin si një ngjarje ku “Trump-i po ngrinte një dolli me Putinin sikur po i jepte çmimin për arritjet e jetës.”

Ndërkohë, ndërsa takimi po niste, përfaqësuesi demokrat Eugene Vindman nga Virginia tha: “Vetë fakti që Putin do të jetë në tokë amerikane është një fitore e madhe për të.”

“Së pari, ai po legjitimohet dhe nuk është më një i përbuzur global. Së dyti, ai do të ishte subjekt arrestimi në 123 vende për shkak të urdhërarrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Këtu po ecën i lirë,” u shpreh i zhgënjyer Vindman.

Por republikanët u rreshtuan përreth presidentit për mënyrën si e menaxhoi samitin, me përfaqësuesin republikan Andy Ogles nga Tenesi që njoftoi të premten mbrëma, pas përfundimit të samitit, se synon të hartojë një nominim për Çmimin Nobel për Paqe për Trump-in.

Disa republikanë e shfrytëzuan rastin të premten për të kritikuar ish-administratën e Biden-it që, sipas tyre, dështoi të ndërmerrte veprimet e duhura për të ndaluar luftën në Ukrainë.

“Kur Joe Biden u bë president, ai hoqi sanksionet për Nord Stream 2, i dha Putinit dhe Rusisë një dhuratë prej miliarda dollarësh, dhe arsyeja pse kjo solli luftën ishte sepse Putini kishte hezituar të pushtonte Ukrainën përpara, nga frika se mos dëmtonte tubacionet e gazit natyror që kalojnë përmes Ukrainës,” tha të premten senatori republikan nga Teksasi, Ted Cruz, në një intervistë për Fox Neës.

Gjatë samitit, ndërsa Putini iu përgjigjej gazetarëve, ai tha se besonte në pretendimin e Trump-it dhe republikanëve se po të ishte Trump president kur filloi lufta, në vend të Biden-it, ajo me shumë gjasë nuk do të kishte nisur kurrë.

“Çelësi për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë të ndershme dhe të drejtë është krijimi i një infrastrukture penguese që Biden dhe Obama dështuan ta ndërtojnë, e cila do të parandalonte një pushtim të tretë,” tha pas samitit senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut.

Senatori shtoi se pas këtij samiti, një takim mes Trump-it, Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky do të ishte i domosdoshëm. Ai argumentoi se, me një takim të tillë, ai do të ishte “disi optimist” se lufta mund të përfundonte “shumë para Krishtlindjeve.”

“Nëse ai takim nuk realizohet, mendoj se presidenti Trump mund të duhet të ndërmarrë hapa të ashpër për të ndëshkuar ata që blejnë naftë dhe gaz të lirë rus, duke mbajtur në këmbë makinën e luftës së Putinit,” përfundoi Graham.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb