Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se Ukraina duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë, duke theksuar se “Rusia është një fuqi shumë e madhe, ndërsa Ukraina nuk është”. Kjo deklaratë erdhi në prag të një samiti ku raportohet se presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar më shumë territor ukrainas.
Sipas një burimi të cituar nga agjencia Reuters, gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump ka përmendur se Putin kishte ofruar të ngrinte vijat e frontit, nëse Kievi do të tërhiqej nga i gjithë rajoni i Donetskut – një zonë strategjike e industrializuar që është ndër synimet kryesore të Kremlinit.
Presidenti Zelensky, sipas po të njëjtit burim, e ka refuzuar këtë propozim. Aktualisht, Rusia ka nën kontroll rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë një pjesë të madhe të provincës Donetsk, ku trupat ruse hynë për herë të parë në vitin 2014.
(Balkanweb)
