Gazetari Osman Stafa ka ngritur një denoncim të fortë mbi gjendjen e Urgjencës Pediatrike në QSUT, duke e cilësuar atë si një “absurditet” dhe “antishkencë mjekësore”. Përmes një postimi në Facebook, ai ka publikuar shqetësimin e tij mbi mënyrën sesi funksionon ky shërbim, ku çdo ditë paraqiten me qindra prindër me fëmijët e tyre të sëmurë.


Sipas gazetarit, prindërit nuk i drejtohen menjëherë mjekut, por detyrohen të marrin një biletë radhe nga një makineri, njësoj si në banka, përpara se të marrin shërbim. “Urgjenca nuk funksionon me radhë, por me triazh – kush është më rëndë trajtohet i pari. Kjo është abuzim me standardet e kujdesit shëndetësor”, shkruan Stafa.

Ai denoncon gjithashtu se përballë qindra rasteve në ditë, shpesh në kulme virozash, shërbejnë vetëm 2 mjekë dhe 4 infermierë në 2-3 dhoma të vogla. Sipas tij, fëmijët me temperatura, probleme frymëmarrjeje apo të vjella detyrohen të presin në një hapësirë të mbushur, duke përhapur infeksione mes tyre.

“Urgjenca Pediatrike nuk mund të funksionojë si sportel banke. Fëmijët nuk janë numra, por pacientë që kanë nevojë për kujdes dhe prioritet. Shëndetësia nuk bëhet me bileta radhe, por me mjekë, infermierë dhe organizim të mirëfilltë”, thekson Stafa.

Gazetari bën thirrje që Urgjenca Pediatrike të ketë kapacitet dhe infrastrukturë të krahasueshme me urgjencën tjetër të madhe të QSUT-së, duke e konsideruar situatën aktuale “të patolerueshme”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb