Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast prostitucioni dhe grabitje me dhunë, ku janë përfshirë dy shtetas, të cilët ndodheshin nën masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një ngjarje të mëparshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin R. L., 40 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ndërsa shpallën në kërkim bashkëpunëtoren e tij, shtetasen A. H., 49 vjeçe, banuese në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se 49-vjeçarja, ndonëse me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, i ka ofruar marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës një 44-vjeçari, në banesën e saj. Gjatë kësaj kohe, 40-vjeçari R. L., në bashkëpunim me të, i ka marrë me dhunë viktimës një shumë parash dhe telefonin celular.
Të dy shtetasit ishin më parë në hetim, me masë sigurie “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Durrësit, si pjesë e operacionit të koduar “Last Threat”, i zhvilluar në muajin prill.
Materialet procedurale për rastin janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe ligjore.
