Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha ka reaguar me tone të forta për bllokadën ndaj News24, duke e cilësuar atë si një tentativë të mirëfilltë të kryeministrit Edi Rama për të mbyllur median dhe për të shuar çdo zë kundërshtues.

“Rama donte t’i merrte mikrofonin News24. Nuk e koncepton dot një media kundër tij. Tentativa ka qenë për ta mbyllur dhe nxjerrë nga tregu. Kur nuk ia doli me gjoba e tritol, provoi atë që di të bëjë më mirë, solli ushtrinë për të fikur sinjalin,” u shpreh Hoxha.

Ai paralajmëroi se mbyllja e një media nuk dëmton shtetin, por qytetarët, duke marrë si shembull gazetarët që kanë denoncuar çështje të mëdha publike.

“Nëse nuk do ishte News24, nuk do të dilte Klodiana Lala të ekspozonte lidhjet e krimit, nuk do të dilte Osman Stafa të denonconte shkeljet në shëndetësi që janë krim kundër njerëzimit,” tha ai.

Hoxha shtoi se moszbatimi i vendimeve gjyqësore tregon vetëm “dështimin e institucioneve”, ndërsa theksoi se News24 sot është “media e qytetarëve”.

“Nuk meritojnë qytetarët t’u mbyllet goja. Ose detyrohen të ikin, ose të nënshtrohen. Zëri i News24 është shumë i rëndësishëm. Duhet ta kthejmë vendin në normalitet, nuk mund ta lëmë të bjerë në diktaturë totale,” u shpreh ai.

Në fund të reagimit të tij, Hoxha nuk kurseu as akuza të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve të lartë, duke përmendur zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

“Hetojeni pak Belinda Ballukun, është njeriu më i pahetuar në vend. Ka pagesa konkrete për dy anijet ‘tigër’ të fikura, 20 milionë dollarë në vit veprimtari antiligjore,” deklaroi Hoxha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb