Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë për Fox Neës, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me luftën në Ukrainë, duke i cilësuar bisedimet e mbajtura në Uashington të hënën në mbrëmje si një hap të rëndësishëm përpara. Sipas tij, pas tre vitesh lufte, më në fund po vërehen disa zhvillime konkrete.

Rubio theksoi se takimet mes presidentit Donald Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësve evropianë po japin shenja përparimi, megjithëse procesi do të kërkojë ende kohë për të dhënë rezultatet e plota. I pyetur për garancitë e sigurisë që mund t’i ofrohen Ukrainës, Rubio sqaroi se SHBA po punon me aleatët për të përcaktuar qartë përmbajtjen e tyre.

Ai nënvizoi se prioritet për Ukrainën është ndërtimi i një ushtrie të fuqishme, dhe se kjo përbën një ndryshim të madh në qasjen amerikane ndaj luftës. “Nuk po i japim më ndihmë ushtarake apo financiare Ukrainës në të njëjtën formë si më parë. Tani armët po i shesim, ndërsa vendet evropiane, përmes NATO-s, po marrin përsipër pagesat,” deklaroi Rubio, duke theksuar dallimin me mënyrën se si u menaxhua konflikti gjatë administratës Biden.

Ai shtoi gjithashtu se marrëveshja për mineralet, e firmosur në shkurt, ku Ukraina lejon investime në burimet e saj natyrore dhe mineralet e rralla, përbën një tjetër element të sigurisë në të ardhmen e vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: