Mariah Carey, një nga artistet më të suksesshme të muzikës moderne me mbi 220 milionë albume të shitura dhe 19 këngë nr. 1 në Billboard Hot 100, ka fituar vetëm 5 çmime Grammy nga 34 nominime.

Nominimi i saj i fundit daton në vitin 2009, dhe sipas këngëtares tregon një shpërfillje të qëllimshme nga Akademia e Regjistrimeve.

Në intervistën e saj  të fundit, Carey është shprehur se çmimet Grammy-t janë të mbivlerësuar dhe që nuk e pasqyrojnë suksesin e saj.

”Mendoj se çmimet Grammys janë shumë të mbivlerësuara dhe realisht ato nuk e pasqyrojnë suksesin tim”, theksoi këngëtarja.

Historia e saj me Grammy-t tregon një pabarazi të dukshme: dy fitore në 1991, një rikthim i madh në 2006 me tre çmime për albumin “The Emancipation of Mimi”, por mungesë vlerësimi të vazhdueshëm më pas. Madje, kur në 2024 mori një çmim nderi nga vetë Akademia, Carey u shpreh me humor: “A është ky një Grammy i vërtetë? Nuk kam parë prej kohësh”.

Megjithëse e anashkaluar nga Grammyt, Carey gëzon një listë të gjatë arritjesh: 10 American Music Awards, 20 Billboard Music Awards dhe një sukses të qëndrueshëm ndër vite, sidomos me hitin festiv “All I Want for Christmas Is You”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb