Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu, ka akuzuar qeverinë dhe Institutin e Statistikave (INSTAT) për manipulim të të dhënave zyrtare, duke përfshirë në shifrat e eksporteve mallra që kalojnë thjesht në tranzit drejt Kosovës.

“Nuk ka mashtrim më banal, më primitiv,” – tha Berisha. “Shkarkon Kosova naftë në Durrës me cisterna për ta transportuar me autobote në Kosovë, dhe ky quhet eksport i Shqipërisë në Kosovë. Ky është transit.”

Duke krahasuar këtë praktikë me mënyrën se si qeveria, sipas tij, manipulon edhe numrin e turistëve, Berisha u shpreh se vizitorët që vijnë në Rinas vetëm për të përdorur linjat e lira ajrore si EasyJet apo Ryanair, regjistrohen si turistë, edhe pse nuk qëndrojnë në vend, nuk flenë e as nuk shpenzojnë.

“Nuk ka mashtrim më banal, më primitiv.
Shkarkon Kosova naftë në Durrës me cisterna për ta transportuar me autobote në Kosovë, ky quhet eksport i Shqipërisë në Kosovë. Ky transit.
Identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, Easyjet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe diku në aeroport apo jashtë tij dhe as nuk flenë dhe as shpenzojnë asgjë, thjesht shkojnë në destinacionet që u garantojnë linjat e lira ajrore.
Shikoni me çfarë zyrtarësh kemi të bëjmë, të shpëlarë nga çdo karakter, qoftë profesional, intelektual, zyrtar, se si mashtrojnë popullin e vet.
Se si mashtrojnë botën.
Mos harroni se statistikat e INSTAT-it janë statistika që në mirëbesim citohen nga EUROSTAT-i.
Me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Narkoekonomia në Shqipëri është zhvillimi më dramatik i narkoshtetit.
Është pikërisht narkoekonomia, ajo që ka sjellë rënie progresive të pandalshme në 3 vitet e fundit të prodhimit të përgjithshëm industrial, të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe në veçanti të eksporteve të vendit.
Ekonomia shqiptare bazohet kryekëput në narkondërtimin, i cili është tre herë më i lartë në tregues se sa mesatarja e ndërtimit në BE dhe është me distancë më i larti në Europë.
Pra, të mashtrosh me eksportet, të cilat po t’u zbresësh importet e Kosovës, që Edi Rama me ministrin e tij të financave dhe institutin e tyre, i llogarisin si ri-eksporte të Shqipërisë…
Ri-eksporti është kategori krejt tjetër. Ai është transit. Shkarkohet në Porto Romano nafta dhe nga cisternat e Porto Romanos kalon me autobote në Prishtinë.
Ky është një akt i paprecedent”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb