Dy vatra zjërri në distancë të shkurtër me njëra- tjetrën janë konstatuar këtë pasdite në afërsi të fshatit Borizanë mbi fabrikën e cimentos në afërsi të guroreve.
Sipas burimeve zjarret janë të qëllimshme dhe mendohet që vihen për t’u hapur terren guroreve ose ndonjë guroreje të re.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar reparti zjarrfikës i rrethit me të gjjtha mjetet dhe personelin që ka në dispozicion. Edhe pse po punohet fort, zjarri vijon të përhapet i favorizuar nga era, duke marrë para hektarë të tërë me pisha të reja.
Ajo që e bën më shqetësuese situatën është se rreth 1 km nga vatra e zjarrit ndodhet depo e dinamitit, nga e cila furnizohen guroret. Nëse zjarri nuk do të vihet nën kontroll në kohë, atëhere situata do të agravohet, pasi flakët mund t’u afrohen depove të dinamitit.
