Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së martës duke u gdhirë dita e mërkurë në fshatin Kryekuq njësia administrative Remas në bashkinë e Divjakës. Një 32-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është goditur me thikë nga një 25 vjeçar. Besmir Kumria 32 vjeç i martuar ka mbetur i vdekur pasi është qëlluar me thikë nga 25 vjeçari Xhesjon Toromani.
Shkak për këtë konflikt mes të rinjve sipas policisë ka qenë një vijë uji e një kanali vaditës. Policia e Divjakës ka ndaluar autorin Xhesjon Toromani autori i dyshuar pas disa orësh kërkimi.
Ngjarja ka shokuar jo vetëm banorët e fshatit Kryekuq por edhe mbarë opinionin. Më së shumti në raste të tilla askush në fshat nuk flet për ngjarjet e rënda, por sipas njërit prej banorëve të fshatit, konflikti për tokën, i pazgjidhur prej vitesh ka çuar në këtë situatë ku një prej të përfshirëve në konflikt ka ndërruar jetë dhe po sipas tij, faji është i prindërve të cilët i ushqejnë fëmijët me konfliktet e mbartura.
“Ngjarje e rëndë dhe fshati është shumë i tronditur. Kanë pasur konflikte për punë toke dhe nuk është zgjidhur. Familjet kanë qenë të mira dhe të rregullta, por shkaku i konfliktit është vetëm kjo, nuk ka asgjë tjetër. Janë të ardhur nga Gramshi, kanë vite në fshatin tonë. Djemtë kanë qenë të rregullt, bënin çdo gjë që u thonin baballarët, i dëgjonin prindërit. Konfliktet duhen hequr prindërit duhet të kenë më shumë kujdes, duhen shuar konfliktet”, tha Kasem Taragjini.
Të dyja familjet janë të ardhura nga Gramshi pas lëvizjeve demografike të viteve 90 në Kryekuq dhe kanë njohje dhe miqësi ndërkohë që edhe banesat i kanë shumë pranë në lagje.
Për këtë qëllim policia e shtetit ka instaluar patrullat e shërbimit për të mbajtur nën mbikqyrje situatën për të mos pasur probleme të mëtejshme.
(BalkanWeb)
