Autori i emisionit investigativ Vetting, Ardian Bushi, i ftuar në studion e News24, ka rrëfyer detaje nga përballja e tij me përmbaruesit, policinë dhe firmën KAYO, gjatë aksionit të paprecedentë në ambientet e televizionit.

Bushi tha se në momentin që tentoi të hynte në zyrat e redaksisë, aty ndodheshin punonjës të KAYO-s, të cilët pretendonin se kishin urdhër për të marrë kontrollin e hapësirës. Ai theksoi se pavarësisht insistimit për zbatimin e vendimit të gjykatës, askush nuk iu përgjigj.

“Është absurde që ky insistim për zbatimin e vendimit të gjykatës nuk mori përgjigje. Do i trajtojmë të gjitha në emisionin Vetting, sepse çdo moment është xhiruar”, u shpreh ai.

Sipas Bushit, gazetarët u futën në zyrat e tyre dhe konstatuan se dera ishte e shqyer me leva, ndërsa materialet, softuerët dhe pajisjet e redaksisë ishin marrë. “Ishte katastrofë si ishin hedhur materialet. Vendngjarja duhej dokumentuar, por policia nuk e bëri këtë dhe madje nuk na lejoi të hynim”, shtoi ai.

Ai tregoi se përballja me policinë ishte tejet disproporcionale: “Ne ishim tre veta dhe erdhën 50 forca. I thashë drejtuesit të policisë ‘më në fund erdhët të zbatoni ligjin’, por ata na nxorrën me forcë jashtë. Kur kërkova të dija çfarë ligji kisha shkelur, nuk mora asnjë përgjigje”.

Bushi e cilësoi ngjarjen një goditje të rëndë për median dhe një precedent të rrezikshëm ku një kompani private prevalon mbi një vendim gjykate. Ai theksoi se pamjet filmike do të bëhen publike në edicionet e ardhshme të Vetting.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb