Avokati Erald Aga ishte i ftuar në “Koha për t’u zgjuar” në News24 ku foli në lidhje me Paketën e Maleve.
Ai ka ngritur shqetësime në lidhje me atë që do të ndodhë me pronat në zonat malore, të cilat sipas tij në të shumtën e kohës janë të ndara verbalisht mes bashkëfshatarëve, por nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatës.
Aga bëri dhe një apel për qytetarët e këtyre zonave, pronat e të cilëve mund të preken nga Paketa e Maleve, duke theksuar se duhet te tregohen të kujdesshëm në momentin që do të bëhet afishimi i pronave për të cilat ka interes nga investitorët.
“Kalimi i pronësisë do të bëhet vetëm në zonat malore apo kodrinore. Ligji për mendimin tim është më i keq se 7501 dhe ligji 20.2020 për kalimin e pronësisë.
Mbase zjarret që po bien nuk janë të rastësishme. Të gjitha kanë qenë në zona malore ku certifikatat e pronësisë nuk ekzistojnë. Ligji thotë se certifikatat mund të merren nga poseduesit jo pronarë. Zakonisht në Shqipëri pjesa më e madhe e pronarëve kanë prona të trashëguar brez pas brezi por jo të regjistruara. Janë të ndara verbalisht por nuk kanë pasur konflikte, sidomos ne veri.
Ligji thotë se edhe SHPK apo SHA që ka interes mund ta përfitojë nëse vërteton se e posedon për 10 vite. Kalimi i pronësisë do të bëhet nga shteti, pra janë prona që i ka në administrim shteti, që janë prona shtetërore, prona publike dhe prona të individëve që janë si pa pronarë që nuk janë regjistruar.
Çdo pronë do të shitet me 1 euro metri katror. Bëhet fjalë për prona të mëdha, ku investitorët strategjikë mund të bëjnë resorte malore për shembull.
Dua t’i them qytetarëve të kenë shumë kujdes që në momentin që bëhet afishimi i pronave që preken nga paketa e Maleve dhe të bëjnë ankimim nëse prona e tyre përfshihet. Ose ndryshe prona do të merret nga investitori strategjik”, tha ai.
