Një ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Freskut në Tiranë më 2 gusht 2025, ku 28-vjeçari Jurgen Abazi mbeti i plagosur. Policia ka ndërmarrë veprime  hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Deri tani është arrestuar një person dhe një tjetër është shpallur në kërkim, ndërsa autori i dyshuar i plagosjes Klevis Caka (Lusha) vijon të jetë i lirë. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Më herët policia ka arrestuar si bashkëpunëtorë të autorit shtetasit Xhonatan Qerimi dhe Andi Gurra.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 2 gushtit në rrugën “Thoma Filipeu”, në zonën e Freskut.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.08.2025, te Fresku, ku u plagos me armë zjarri një 28-vjeçar.

Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, pasi dyshohet se kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e saj.

Vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes dhe të bashkëpunëtorit të tij.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.08.2025, në Fresk, ku u plagos me armë zjarri një 28-vjeçar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë arrestuar shtetasin A. D., 30 vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin D. H., për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit në krim”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit J. A., 28 vjeç, kanë kryer veprime (lëvizje dhe fshehje të sendeve) për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e saj, shtetasin K. C.(L.), i cili është shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: