Pedagogu i Universitetit Luarasi, Afrim Osmani, ka reaguar ndaj sulmit që iu bë televizionit News24, duke e konsideruar atë që ndodhi një shkelje të rëndë të të drejtës për informim.
Gjatë një interviste për News24, ai theksoi se ndërhyrja e qeverisë ka cenuar jo vetëm gazetarët, por edhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Osmani kritikoi Kryeministrin për shkeljen e procedurave ligjore dhe për arrogancën e pushtetit të mbështetur në 84 mandate.
Ai e cilësoi News24 jo si një biznes të zakonshëm, por si një e mirë publike dhe një brand të dashur për shqiptarët. Sipas tij, ky veprim dëmton rëndë lirinë e medias dhe demokracinë në vend.
Afrim Osmani, pedagog te Universiteti Luarasi: Kryeministri shkeli çdo procedurë në rastin e News24. Është heqje e të drejtës themelore, që t’i heqësh gazetarit të drejtën për të informuar. Edhe publikut iu hoq e drejta që të informohet. Sa bukur e kanë quajtur ‘shtet të së drejtës’, nuk e kanë quajtur ‘shtet të ligjit’, pra shihet e para e drejta. Marrja e 84 mandateve e bën qeverisjen më të keqe, sepse rritet arroganca e qeverisë. Kryeministri ndihet i plotfuqishëm me aq mandate sa ka marrë. Nuk mund ta shkelësh me këmbë një brand si News24, që është ekran kaq i dashur për shqiptarët. News24 nuk është thjesht biznes privat, është brand i ngritur me punë për vite me radhë.
(BalkanWeb)
