Ukraina kreu të dielën një seri sulmesh me dronë në territorin rus, në ditën e 34-vjetorit të Pavarësisë së saj. Sipas mediave ndërkombëtare, dronët ukrainas shkaktuan zjarr në një central bërthamor në Kursk dhe në një terminal nafte në portin e Ust-Lugës, ndërsa për disa orë u pezulluan fluturimet në disa aeroporte ruse.
Rusia u kundërpërgjigj me një valë të re sulmesh. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Moska lëshoi 72 dronë dhe një raketë balistike, prej të cilëve 48 dronë u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.
Festimet në Kiev për Ditën e Pavarësisë u shoqëruan edhe me vizita ndërkombëtare. Në kryeqytetin ukrainas ndodhen i dërguari special i Donald Trump, Keith Kellogg, i cili pritet të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky, si edhe kryeministri kanadez, Mark Carney.
Në një mesazh drejtuar kombit, Presidenti Zelensky deklaroi se Ukraina nuk do të detyrohet kurrë të bëjë kompromis dhe se synimi mbetet arritja e një paqjeje të drejtë.
Nga ana tjetër, Wall Street Journal raportoi se Pentagoni ka ndaluar përdorimin nga Ukraina të raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin rus, duke kufizuar kështu opsionet ushtarake të Kievit. Ndërkohë, bisedimet mes kryeqyteteve evropiane për garancitë e sigurisë për Ukrainën po vazhdojnë pa ndërprerje.
Në këtë sfond, edhe Kina ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë, por vetëm nëse arrihet një marrëveshje e negociuar dhe brenda kuadrit të një mandati të OKB-së.
