Një protestë është zhvilluar këtë të diel në fshatin Çërravë të bashkisë së Pogradecit, ku rreth 40 banorë dhe blegtorë të zonës kanë kundërshtuar një projekt-vendim të këshillit bashkiak që parashikon dhënien me qira të një sipërfaqeje të madhe toke për shfrytëzimin e paneleve diellore.

Banorët theksuan se gjysma e fshatit merret me blegtori dhe se toka në fjalë është e vetmja kullotë që ata kanë në dispozicion.

Ata e cilësuan këtë vendim si një cënim të drejtpërdrejtë të jetesës së tyre dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse projekti nuk ndalet.

Në mbështetje të tyre ishte edhe këshilltari i pavarur bashkiak Arbër Male, i cili u bëri thirrje kolegëve të tij të votojnë kundër. Ai deklaroi se vendimmarrja është e paracaktuar dhe se edhe kompania përfitues e projektit është e përcaktuar paraprakisht.

Këshilli bashkiak i Pogradecit pritet të mblidhet të enjten për të vendosur nëse do të japë me qira 35.5 hektarë tokë për vendosjen e paneleve fotovoltaike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb