Ditët verore po përfundojnë dhe moti ka nisur të japë sinjalet e para se vjeshta po afron.

Pas përkeqësimit të motit në orët e para të së premtes, të shoqëruar me erë dhe shi të rrëmbyer, plazhi i madh në Durrës dukej një ditë më parë thuajse i braktisur nga pushuesit.

Por duket se efekti i motit të keq ka zgjatur fare pak dhe sërish plazheve nga Durrësi në Golem u është kthyer gjallëria. Siç shihet edhe nga pamjet që “News24” ka fiksuar përgjatë vijës bregdetare, në plazhet e zonës janë rikthyer pushuesit.

Janë më të paktë në numër, sesa një javë më parë, por kjo është e kuptueshme sepse një pjesë e pushuesve tashmë i kanë përfunduar pushimet verore dhe janë rikthyer në vendet e punës.

Gjithsesi nuk mungojnë në bregdet, shqiptarët e Kosovës, të cilët tradicionalisht për shumë vite me radhë fundjavat i kanë kaluar buzë Adriatikut.

Temperaturat që kanë rënë disi e bëjnë edhe më të pëlqyeshëm plazhin në këtë periudhë, pasi nuk është më vapa përvëluese e pak ditëve më parë.

Për vendasit, fundjavat e fundit të muajit gusht janë goxha të preferuara për plazh, sepse përgjatë vijës bregdetare nuk vihet re më fluksi i madh i pushuesve, karakteristikë kjo e pikut të sezonit veror.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb