Në 34-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka uruar popullin dhe qeverinë ukrainase, duke shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilën e cilësoi si një “masakër të pakuptimtë”.
Në letrën e publikuar nga presidenti Volodymyr Zelensky, Trump vlerësoi “shpirtin e palëkundur” të ukrainasve dhe “luftën e tyre për liri”, duke riafirmuar mbështetjen amerikane për sovranitetin e Ukrainës.
Zelensky, nga ana e tij, e ka falënderuar SHBA për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se “vetëm duke punuar së bashku mund t’i japim fund kësaj lufte dhe të arrijmë një paqe të vërtetë”.
Letra e plotë:
I nderuar z. President,
Në emër të popullit amerikan, ju shpreh përgëzimet dhe urimet më të përzemërta për ju dhe popullin trim të Ukrainës, teksa festoni 34-vjetorin e pavarësisë.
Populli i Ukrainës ka një shpirt të palëkundur dhe guximi i vendit tuaj frymëzon mbarë botën. Në këtë ditë të rëndësishme, dua të dini se Shtetet e Bashkuara respektojnë qëndresën tuaj, nderojnë sakrificat tuaja dhe besojnë në të ardhmen tuaj si një komb i lirë dhe i pavarur.
Tani është momenti për t’i dhënë fund vrasjeve të pakuptimta. Shtetet e Bashkuara mbështesin një marrëveshje të negociuar që do të sjellë një paqe të qëndrueshme e afatgjatë, që i jep fund gjakderdhjes dhe garanton sovranitetin e Ukrainës dhe dinjitetin e saj.
Zoti e bekoftë Ukrainën.
Me respekt,
Donald J. Trump
