Organizata kriminale e drejtuar nga Ervis Çela e Franc Çopja, e cila përmbyti Europën me tonelata kokainë dhe pastroi dhjetra milionë euro, trafikonte edhe armë të sofistikuara.
Në një nga bisedat e zhvilluara më 16 shtator 2020 mes Ervis Çelës dhe Franc Çopjas në aplikacionin e koduar Sky ECC, ai i dërgon këtj të fundit disa fotografi armësh automatike të montuara.
“6 janë me silenciator… po ma sollën me vonë silenciatorin po e fus. Nëse nuk ma sjell do fus vetëm gjashtë copë”, shkruan Çela.

Ai shpjegon edhe mënyrën sesi do t’i kamuflojë armët që të mos pikasen nga autoritetet. Sikurse rezulton në dosje, armët cmontohen, vendosen në qese me vakuum dhe më pas futen në kuti metatike, që Çela iu referohet si kanace.
“Do cmontohen dhe do i fus në kanace. Çdo armë një kanace, që të mos ngatërrohet pjesët për montim”, e sqaron Çela bashkëbiseduesin Franc Çopja. Ai dërgon më pas në aplikacionin Sky edhe foto të armëve të vendosura në kuti. “FIks kanë hy, dy cm më të mëdhaja nuk do të hynin. 1 mijë fishekë do të fus”, shkruan më tej ai.

Fishekët vendosen në qese te tejdukshme. Biseda mes tyre vijon për trafikun e kokainës, ku sasitë që nisen nga Paraguaji drejt porteve të Europës, janë redord ku sasia më e lartë e trafikuar është mbi 11 tonë. Në dosjen e SPAK thuhet se Ervis Çela dhe Franc Çopja, përbëjnë bërthamën drejtuese të grupit kriminal të përmasave ndërkombëtare, që zotëron strukturë vertikale të qartë, lidhje me anëtarëve të karteleve në Paraguaji dhe Brazili si dhe kapacitete për të kontrolluar të gjitha hallkat e trafikut të kokainës.
Ervis Çela konsiderohet si një lojtar me rëndësi në sigurimin e kokainës dhe trafikimin e saj dhe me kapacitet të lartë financiar. Franc Çopja ka një strukturë të mirëfilltë kriminale për trafikimin e kokainës dhe kontakte të shumta në Amerikën Latine. Ndërsa Fadil alias Julian Balla, pronari i Ajman Park dhe ish-presidenti i klubit sportive Erzeni, konsiderohet si drejtuesi I një strukture kriminale që lidhet me blerjen, administrimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e kokainës.
Organizata Çela-Çopja u godit pak javë më parë nga SPAK dhe konsiderohet më e madhja e hetuar deri më tani nga prokuroria e posacme. Ndërsa u sekuestruan miliona euro pasuri të paluajtshme, që nga resorte luksoze, kompani të ndryshme apo llogari bankare.
(BalkanWeb)
