Ukraina po kërkon më shumë armë nga Perëndimi për shkak të shqetësimeve se, madje edhe pas dy samiteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, Rusia “nuk është e interesuar” për paqe, tha një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për rrjetin e Radios Evropa e Lirë, Current Time.

Mykhaylo Podolyak tha të hënën se Kievi ka qenë në “konsultime aktive” me zyrtarë amerikanë dhe evropianë “për rritjen e furnizimit me mjete të ndryshme për të zhvilluar operacione kundër luftës”.

“Ne e kuptojmë se sa shumë po shpenzon Rusia tani, dhe çfarë do të bëjë më pas, se çfarë burimesh po përdorin përgjatë vijës së frontit apo më thellë në territorin ukrainas”, shtoi Podolyak, një figurë kyçe në administratën e Zelenskyt që prej vitit 2020.

“Për rrjedhojë, janë duke u zhvilluar konsultime dhe negociata për ta rritur fluksin e disa llojeve të armëve në Ukrainë… Raketat me rreze të gjatë veprimi, dronët me rreze të gjatë veprimi. Sot ky është një nga drejtimet kryesore, që na lejon të ndikojmë në mënyrë efektive në rrjedhën e kësaj lufte”, tha ai.

Rusia e ka vazhduar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, të cilin e nisi në shkurt 2022, edhe pas takimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë më 15 gusht, dhe me Zelenskyn dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë tri ditë më vonë.

Sulmet ruse në rajonin e Sumit në Ukrainë vranë një civil dhe plagosën nëntë të tjerë gjatë natës, ndërsa dhjetëra beteja u zhvilluan përgjatë vijave të frontit në 24 orët e fundit, shumë prej tyre pranë qytetit të shkatërruar të Pokrovskut në rajonin e Donjeckut, thanë zyrtarë ukrainas të hënën.

Moska gjithashtu ka hedhur poshtë mundësitë për paqe.

Trump, i cili ka kërkuar të ndërmjetësojë përfundimin e luftës prej se e mori detyrën në janar, i përdori takimet  për ta caktuar një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt, të cilët nuk janë takuar personalisht që prej vitit 2019.

Zelensky është pajtuar për takim me Putinin dhe e kërkoi një të tillë edhe gjatë bisedimeve të nivelit më të ulët për paqe në Stamboll në maj./REL

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb