Rruga kombëtare nga Ura e fshatit Fshat deri në Qafën e Buallit është lënë tërësisht jashtë vëmendjes nga autoritetet në Klos.
Gjendja më problematike paraqitet në segmentin e fshatit Klos-Katund, ku gropat e thella dhe deformimi i asfaltit shkaktojnë probleme në qarkullimin e automjeteve.
Drejtuesit e mjeteve, por edhe pasagjerët, shprehen se në këtë rrugë prej vitesh nuk është bërë asnjë investim, ndërsa mirëmbajtja e vetme që bëhet përgjatë aksit nga firma kontraktore “ALKO-IMPEX” është prerja e barërave anësore.
“Rruga nuk mirëmbahet, po na shkatërrohen makinat. Të rinjtë kanë ikur se zona është lënë në harresë, nuk investon askush”, ankohen shoferët.
Një pasagjere në një mjet deklaroi: “Nuk ka rrugë më të keqe se këtu. Edhe në male rrugët janë më të mira, këtu kalohet vetëm me zetor”.
Megjithëse drejtuesit e automjeteve dhe banorët e Klos-Katundit e kanë ngritur disa herë shqetësimin për gjendjen e rrugës, përgjegjësit për mirëmbajtjen e aksit Ura e Fshatit-Qafë Buall nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete.
(Balkanweb)
