Ura e Ibrit në Mitrovicën e Veriut është hapur për qarkullim, duke shënuar një moment të rëndësishëm për qytetarët e zonës dhe gjithë Kosovën.

Lajmin e ka konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili publikoi një foto të urës së hapur në rrjetet sociale.

“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re!”, shkroi Sveçla, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap drejt normalizimit të jetës në qytet.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook se “më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër”.

“Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim”, shkroi ai.

Hapja e urës ka një simbolikë të veçantë, pasi për vite të tëra ka qenë e mbyllur dhe e kthyer në pikë tensioni mes komuniteteve të shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë.

Autoritetet e Prishtinës filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb