Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar pas denoncimeve të fundit mbi Shpellën e Spilesë në Himarë, duke sqaruar se pretendimet se ajo po shndërrohet në lavazh apo pronë private “nuk qëndrojnë”.
Në një deklaratë zyrtare, MEKI thekson se Shpella e Spilesë është Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimeve nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes.
Sipas ministrisë, ndërhyrjet e miratuara përfshijnë vendosjen e një rrethimi mbrojtës, instalimin e paneleve informuese dhe ndriçimin dekorativ. “Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv që cenon statusin e saj të mbrojtjes nuk do të tolerohet,” thuhet në deklaratë.
Projekti i rijetëzimit është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë. Ndërhyrjet pritet të nisin gjatë muajve shtator-tetor dhe do të shoqërohen me rikualifikime urbane në afërsi të shpellës, me synim rritjen e vlerave turistike të zonës.
