Pas deklaratës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) lidhur me ndërhyrjet e planifikuara në Shpellën e Spilesë në Himarë, ka ardhur edhe një reagim nga historiani Auron Tare.
Në një postim në Facebook, Tare vlerësoi faktin që një reagim i tij qytetar mbi trashëgiminë kulturore ka sjellë një qëndrim zyrtar nga MEKI. “Fakti që, pas gati 10 vitesh shkrime të mia si qytetar i angazhuar, nuk ka pasur asnjë reagim nga pararendësja e këtij institucioni, tregon se ky shkrim i thjeshtë ka prekur një çështje shumë sensitive,” shkruan ai.
Historiani theksoi se reagimi është një shenjë vëmendjeje dhe kujdesi, ndërsa indiferenca, sipas tij, është shenjë injorance. Ai ftoi që çështjet e trashëgimisë kulturore të mos shihen si “llogore ndasish”, por si ura bashkëpunimi mes aktorëve që kanë të njëjtin qëllim: ruajtjen e pasurive kulturore.
Tare falënderoi MEKI-n për qëndrimin e qartë dhe e ftoi institucionin që të shohë nga afër gjendjen aktuale të Shpellës së Spilesë. Ai gjithashtu iu referua imazheve të publikuara nga ministria mbi projektin e ardhshëm të rijetëzimit, duke shpresuar që ato të shndërrohen në realitet pozitiv për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
