Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në News24, ka komentuar vijimin e aksionit politik të opozitës lidhur me zgjedhjet e 11 majit, që sipas tij, përbëjnë një “masakër elektorale”.

Balliu theksoi se është thelbësore avancimi i denoncimeve brenda luftës parlamentare dhe jashtë vendit, duke informuar aleatët ndërkombëtarë mbi shkeljet e supozuara. “Kur një qeveri nuk lejon zgjedhje dhe vjen në pushtet si rezultat i aferave dhe lidhjeve me krimin, ajo iu përgjigjet nevojave jo të qytetarëve, por të bandave,” deklaroi deputeti.

Ai nënvizoi se PD disponon rreth 560 video nga qendrat e votimit, ku sipas tij, shihen qytetarë që votojnë dy herë, komisionerë të PS që udhëzojnë individët në dhomën e fshehtë, si dhe raste të futjes së dorës në kuti për nxjerrjen e votave. Po ashtu, sipas Balliut, persona të paautorizuar mbanin shënime për qytetarët që kishin votuar.

Deputeti theksoi se këto fakte, të cilat sipas tij, në çdo vend tjetër do të trondisnin sistemin e drejtësisë, në Shqipëri “heshtin dhe sulmohet opozita”.

Balliu përfundoi duke konfirmuar se aksioni i PD do të vijojë, me qëllim ekspozimin e shkeljeve dhe përforcimin e presionit politik dhe ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb