Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se qeveria po tenton të asgjësuar institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë përmes një projektligji të ri që, sipas tij, synon centralizimin total të pushtetit në duart e qeverisë.

Berisha theksoi se me këtë projektligj të shpërndarë gjatë muajit gusht, qeveria po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë mbi institucione të pavarura kushtetuese si forcat e armatosura, universitetet publike dhe përfaqësitë diplomatike, duke i vendosur nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave.

Ai e cilësoi këtë një ‘paçavure juridike’ dhe një akt flagrant të uzurpimit të pushteteve në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për një tentativë të rrezikshme për të shkatërruar institucionet kushtetuese përmes një projektligji të ri për administratën shtetërore. ‘Me këtë ligj, Edi Rama po përfshin ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet në ombrellën e administratës së Këshillit të Ministrave. Ky është një uzurpim i pastër dhe një përpjekje për të marrë në kontroll çdo pushtet me autonomi kushtetuese,’ u shpreh ai.

Ai theksoi se përfshirja e forcave të armatosura ka si qëllim kontrollin e pronave të ushtrisë, të cilat, sipas Kushtetutës, janë të mbrojtura dhe të paprekshme. ‘Ky është një atentat mafioz, një akt i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare dhe integritetin kushtetues të vendit,’ tha Berisha.

Deklarata:

Pra, tani me këtë ligj Edi Rama kërkon të përligjë post-factum dhe të hapë rrugën për vendime dhe akte të tilla në rastin e forcave të armatosura. Theksoj se në Kushtetutë, shtabi i përgjithshëm është institucion kushtetues. Se në buxhetin e shtetit është institucion me buxhet të veçantë nga ministria. Inkludimi i forcave të armatosura në ombrellën e këtij ligji, legjitimon keqpërdorimin e tyre në çdo rast për interesa mafioze apo të pushtetit të Edi Ramës.

Por ka edhe një qëllim tjetër madhor. Qëllimi madhor tjetër janë pronat e ushtrisë.

Siç jeni në dijeni, pronat e ushtrisë, të cilat ndahen në dy grupe, njëri grup i pronave të ushtrisë që është në funksion të planit të shpërndarjes, ato janë të paprekshme. Janë të patjetërsueshme. Për sa kohë mbahen në planin e shpërndarjes.

Plani i shpërndarjes së forcave të armatosura përbën sekretin më të rëndësishëm aktual të forcave të armatosura. Ai plan firmoset nga presidenti dhe mbahet nga ai dhe shefi i shtabit.

Siç është faktuar, gjatë këtyre viteve të fundit janë dhuruar nga Edi Rama biznesmenëve të afërt me të dhe ortak me të, porte ushtarake, prona ushtrie të panxjerra nga presidenti i Republikës, pa u pyetur fare presidenti i Republikës.

Përbën një krim të rëndë që mbrohet nga Altin Troplini.

Tani, i gjetur para këtij fakti, që ka një ligj, i cili ndalon tjetërsimin e një prone ushtrie që është në planin e përhapjes së forcave të armatosura, Edi Rrama kërkon që këto atribute t’i marrë vetë.

Interesat e tij qëndrojnë pikërisht në një nga shkaqet më themelore në përfshirjen në ombrellën e këtij ligji të forcave të armatosura. Ky është një atentat ndaj Kushtetutës. Ky është një akt mafioz shumë i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare, sepse ata të cilët ndërtojnë planin e përhapjes së forcave të armatosura, ata kanë parasysh mbi të gjitha rreziqet potenciale të sulmeve dhe pikat më të rëndësishme strategjike që ushtria duhet të ketë në dispozicion në çdo rast për të përmbushur misionin e saj.

Për Edi Ramën, mbrojtja dhe siguria e një vendi anëtar të NATO-s, është e parëndësishme në krahasim me ambiciet e tij mafioze për pasurimin e vet dhe të klaneve afër tij.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb