I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, Peter Sorensen, duke përmbledhur vizitën e tij në Beograd, deklaroi se i dëgjoi me kujdes bashkëbiseduesit e tij dhe theksoi rëndësinë e normalizimit për hir të njerëzve në terren.

Sorensen shkroi në rrjetin social “X” se kishte zhvilluar bisedime përgatitore në Beograd për takimet e ardhshme në kuadër të dialogut me Kosovën.

“Pas vizitës sime në Prishtinë në fillim të gushtit, sot isha në Beograd për bisedime përgatitore për takimet e ardhshme në kuadër të dialogut. I dëgjova me kujdes bashkëbiseduesit e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të njerëzve në terren”, tha Sorensen.

Dje në Beograd, Sorensen u takua në takime të ndara me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç, Ministrin e Integrimit Evropian, Nemanja Staroviç dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën, Peter Petkoviç.

Pas takimit, Vuçiç tha se i kishte theksuar përfaqësuesit evropian se është thelbësore që dialogu të kthehet te parimet themelore, kryesisht te detyrimi për të formuar Bashkësinë e Komunave Serbe, si dhe se përpjekja për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale konfirmon se është kërcënuar respektimi i të drejtave themelore dhe lirisë së aktivitetit politik të serbëve në Kosovë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb