Dy persona janë vënë në pranga dhe një i tretë është shpallur në kërkim nga Policia e Fierit, pas zbulimit të një rasti kontrabande me karburant të transportuar me autobot. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe u kodua me emrin “Liquid”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit Blertian Dulaj, 49 vjeç, dhe Mario Margilaj, 58 vjeç, të dy banues në Fier. Në kërkim është shpallur shtetasi E. R., 34 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari të paligjshme.
Operacioni çoi në sekuestrimin e autobotit dhe të lëndës hidrokarbure që transportohej, të cilat do shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimit.
Sakaq, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, që do vijojë hetimet për veprat penale:
-“Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”
-“Ruajtja dhe magazinimi i mallrave kontrabandë”
-“Fshehja e të ardhurave”
Hetimet pritet të zbardhin edhe rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së karburantit dhe burimin e furnizimit.
