Nënë Tereza nuk ishte bamirëse por njeri që flijohej. Studiuesi Anton Nikë Berisha e përshkroi shenjtoren duke kujtuar veprat e saj të mëdha, sfidat dhe dyshimet me të cilat u përball. Në një aktivitet të Bibliotekës Kombëtare në kuadër të 115-vjetorit të lindjes së saj, studiuesi iu përgjigj edhe shqetësimeve të ngritura mbi akuzat e kritikat që I janë bërë shenjtores: se në strehimoret e saj vdisnin njerëz, se pagëzoheshin përkundër dëshirës së tyre dhe se takoi krerët komunistë kur erdhi në Shqipëri.
“Në strehimoret e saj në Kalkutë kanë vdekur njerëz, por ata ishin të sëmurë e të pashpresë dhe motrat murgesha iu qëndruan pranë dhe u kujdesën për ta deri në momentet e fundit. Ishin copa njerëzish, më sëmundje të pashërueshme dhe ajo ju dha dinjitet e kujdes. Asnjëherë dhe kurrë nuk ka detyruar askënd të pagëzohet, përkundrazi, nuk I pyeste fare për besimin e tyre. Ndërsa sa I takon ardhjes në Shqipëri, ajo duhej të komunikonte me ata që ishin në pushtet për të ardhur në Shqipëri, nuk mundet të rrëzonte regjimin”, tha studiuesi.
Përshpirtnia e saj dhe lidhja me gjuhën shqipe, vërtetohet nga disa dëshmi, të publikuara në libra por edhe orale. Shqetësimit që ajo komunikonte serbokroatisht, ju përgjigj jo vetëm studiuesi Anton Nikë Berisha, por edhe profesor Pandeli Koçi, që kujtoi njohjen me motrën e nënën e shenjtores.
“Kemi banuar në rrugën e Kavajës, ngjitur me motrën e nënën e Nënë Terezës. Ishin të varfra dhe I kishin kërkuar ndihmë financiare shenjtores. Ajo ju çonte letra, letra me lutje dhe letra në gjuhën shqipe”, tha Koçi.
Nënë Tereza lindi në Shkup në një familje shqiptare dhe para se të bëhej murgeshë mbante emrin Gonxhe Bojaxhiu. Laureate e Nobelit për punën e saj humanitare, ndërsa në shtator 2016 u shpall shenjtore.
