Vatra e zjarrit në fshatin Miras, Njësia Administrative Miras, vazhdon të jetë aktive që prej ditës së djeshme. Flakët kanë përfshirë zonën pyjore mbi fshat, ku rriten bimësi të përziera si dushk dhe pishë, duke u përhapur në një sipërfaqe të gjerë.

Që prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat vendore dhe banorët e zonës janë angazhuar intensivisht për të shuar flakët. Aktualisht, rreth 70 forca janë të angazhuara në operacionin e shuarjes së zjarrit.

Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, ndërhyrja në brendësi të pyllit është shumë e vështirë, duke kërkuar që ekipet të ecin në këmbë për të arritur pranë vatrës së zjarrit. Situata është bërë edhe më problematike, pasi zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me pisha.

Institucioni i Prefektit po vazhdon të koordinojë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të monitoruar dhe vlerësuar zhvillimin e situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb