Prokuroria e Qarkut në Split konfirmoi sot se ka hapur hetim për spiunazh ndaj një oficeri të Forcave të Armatosura Kroate.
Mediat kroate njoftojnë se piloti i Forcave të Armatosura Kroate, J.I. (54), dhe partnerja e tij, A.M. (46), shtetase serbe, janë vendosur në paraburgim për të mos penguar hetimin.
Ky i fundit, një ditë më pare, u mor në pyetje nga autoritetet kroate së bashku me të dashurën e tij, një grua serbe nga Kosova, nën dyshimet se ai i kishte dhënë asaj informata mbi lëvizjet e KFOR-it përgjatë viteve, ndërsa ajo i ka përcjellë këto informacione tek Lista Serbe.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka shprehur mbështetjen e tij për të gjitha institucionet e Republikës së Kroacisë, në radhë të parë për Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake (VSOA).
Ai ka theksuar se aktivitetet e këtyre institucioneve kanë përcaktuar mundësinë e kryerjes së veprave penale në dëm të Republikës së Kroacisë dhe kanë ndërmarrë masa përkatëse për të identifikuar autorët e mundshëm dhe për të parandaluar veprime të mëtejshme.
Presidenti kroat ka bërë të ditur se është i informuar me kohë për aktivitetet e institucioneve kompetente dhe pret një hetim efikas që do të përcaktojë të gjitha faktet përkatëse.
“Çdo anëtar i Forcave të Armatosura Kroate duhet të kryejë detyrën ushtarake me nder, ndershmëri dhe në përputhje me ligjin, dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje e ligjit dhe betimit, ajo duhet të ndëshkohet në mënyrë të përshtatshme,” ka deklaruar Milanoviq.
(BalkanWeb)
