Një familje e mirë dhe vajza të mira, kështu shprehen banorët e fshatit Kopaçez për familjen Dhimaku e cila disa ditë më parë humbi tragjikisht dy vajzat në lule të rinisë.


Katër ditë pas tragjedisë, zija ka pllakosur jo vetëm shtëpinë e viktimave, por gjithë fshatin të cilët thonë fjalët më të mira për to dhe prindërit.
Ata ndjejnë keqardhje që jeta e dy vajzave u këput në moshën më të bukur dhe në mënyrë tragjike, gjatë një aksidenti teksa po udhëtonin drejt Sarandës.
Dy motrat Dhimaku, Elvisa 22-vjeçare dhe Rozina 20 vjeç studionin të dyja për mjekësi, njëra në universitetin publik dhe tjetra në privat në Tiranë. Më e madhja, drejtonte makinën Lancia, me motrën dhe një shoqe pasagjere.
Rreth orës 20:15 në aksin Sarandë-Delvinë, një një Audi i përplasi fort, duke i lënë pa jetë dy motrat, ndërsa shoqja e tyre, 24-vjeçarja, Antonela Zhupa, gjendet ne spital jashtë rrezikut për jetën.
Në timon, rezultoi të ishte një shofer i dehur, 24-vjeçari Kevin Norra.
Sipas hetimeve paraprake, ai bëri një parakalim të gabuar duke u përplasur kokë me kokë me makinën ku udhëtonin te rejat, në korsinë e tyre. Norra udhëtonte drejt Gjirokastrës, ndërsa Dhimaku në drejtim të Sarandës. Kevin Norra, i cili ngiste makinën ne gjendje te dehur punon specialist në Ministrinë e Brendshme.
(BalkanWeb)
