Një tentativë grabitjeje ka ndodhur rreth orës 11:30 të paradites së sotme, në lagjen “Vasil Shanto”.
Sipas informacioneve paraprake, një shtetas ende i paidentifikuar, i cili po lëvizte me motomjet dhe mbante një skafandër në kokë, është afruar pranë një argjendarie dhe ka tentuar të hyjë brenda saj.
Pronari i argjendarisë i ka kërkuar të heqë skafandrën, por personi ka refuzuar dhe është larguar me vrap, duke braktisur motomjetin përpara dyqanit. Dyshohet se, para se të largohej, i ka drejtuar një armë zjarri pronarit të argjendarisë, për ta penguar që ta ndiqte.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit.
