Universiteti “Luarasi” ka hapur këtë të premte regjistrimet për vitin akademik të ri 2025-2026 duke ofruar mundësi të shumta për studentët e rinj. Që në orët e para të nisjes së këtij procesi shumë të rinj kanë shprehur interes për t’u regjistruar në Universitetin “Luarasi” në degët që ai ofron. Profesor Dr. Ethem Ruka, Rektor i Universitetit “Luarasi” e ka ndjekur nga afër të gjithë procesin duke u takuar me studentë dhe prindër për t’i dhënë përgjigje çdo pyetje të tyre.
Ai shprehet se interesi në ditën e parë të regjistrimeve ka qenë tepër i lartë.
“Interesi ka qenë mjaft i madh. Një shkollë të lartë objektivi i parë është të mos rudhet, objektivi i dytë është që të rritet. Fatmirësisht “Luarasi” në të gjithë këto vite nuk ka patur asnjë rudhje por vetëm rritje. Edhe në nivelin e kërkesave që janë bërë në qëndrën e regjistrimeve, sivjet kemi pasur gati 20% më shumë kërkesa sesa vitin e kaluar. Jam i lumtur që në hodhin poshtë që kanë nisur regjistrimet është i mbushur plot me maturantë”, tha Ruka.
Edhe këtë vit Luarasi vjen me risi për studentët. Ajo më e rëndësishmja është se për herë të parë një universitet shqiptar do të zhvillojë tre programe të përbashkëta studimi me Universitetin prestigjioz britanik, London School of Economics, pas përfundimit të të cilave marrin diploma të LSE sikur të kishin studiuar në Londër.
“Është një surprisë e madhe sepse deri tani ka mbi 250 kërkesa. Nuk e di sesi do të përkthehen në studime por janë tre programe të mrekullueshme studimi që janë më të mira në botë. Marrin një diplomë që nuk e merr dot kushdo dhe është e vlefshme si diplomë në çdo vend të botës”, u shpreh rektori Ruka.
“Trendi ka qënë rritës. Jemi në ditë të hapura gjatë gjithë ditëve të raundit të parë. Kemi pritje pafund të prindërve dhe gjimnazistëve të interesuar të cilët na kanë zgjedhur dhe janë në diskutime me ne për të gjithë elementët e regjistrimeve në Luarasi. Jemi çdo ditë pranë tyre me sqarimet dhe procedurat përkatëse”, tha Anni Dasho.
Në Universitetin ‘Luarasi’ të rinjtë mund të studiojnë e të diplomohen në degët e Ekonomisë, Drejtësisë, Teknologjisë se Informacionit dhe Shkencat Mjekësore.
“Sa i përket fakultetit të drejtësisë në lidhje me programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë me një kohëzgjatje studimesh 5-vjeçare situata paraqitet mjaft pozitive. Interesi i maturantëve që kërkojnë të regjistrohen në këtë program studimi është i shtuar krahasimisht me vjet kemi një interes të rritur dhe kjo na ka detyruar që ne të kërkojmë edhe shtesë kuotash me gati 35% dhe organet vendimmarrëse e kanë miratuar këtë”, u shpreh Admir Belishta, dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
“Në fakultetin e ekonomisë në dy degët bazë në Financë Bankë dhe në Administrim Biznes ne kemi gati numër të studentëve që kanë shprehur interesin për të ardhur tek ne gati 14 herë më të madh se kuotat tona ndaj ne kemi bërë një renditje sipas mesatares dhe në përputhje me fazat që sugjeron dhe dikton ligji ne do ndjekim procesin e regjistrimit”, shprehet Sherif Bundo, dekan i Fakultetit të Ekonomisë.
“Ne kemi tre programe në fakultetin e shkencave mjekësore ku është stomatologjia,farmacia dhe infermieria. Ka një interes shumë më të madh në stomatologji,farmaic dhe në infermieri gjithashtu ku tregu punës ka interes për këto studentë. Fluksi është i mirë dhe ky është raundi parë që ne filluam më pas i dyti. Kuotat që ne kemi besoj se do mbyllet që në raundin e parë”, tha Sokol Paparisto, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Regjistrimi në Universitet do të zgjasë nga data 29 Gusht deri në 11 Shtator.
(BalkanWeb)
