Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e serbes A.M., që së bashku me të dashurin e saj, J.I, pjesëtar i forcave ajrore kroate, u arrestuan në Kroaci nën akuza për spiunazh për Serbinë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisjet u kryen më 27 gusht rreth orës 20:00, pas publikimit të informacioneve se A.M., ishte arrestuar në Kroaci.

Elshani tha se menjëherë autoritetet kosovare kanë verifikuar adresën e të dyshuarës A.M., në Mitrovicë të Veriut.

“Kemi gjetur lokacionin e shtëpisë, kemi pranuar informacione se në atë shtëpi mund të ketë armë, kemi hyrë kemi bastisur këtë shtëpi, kemi gjetur një sprej, disa gëzhoja, fishekë dhe jemi larguar nga ai vend”, u shpreh Elshani.

Sipas Elshanit, autoritetet e Kosovës janë në koordinim të ngushtë me autoritetet kroate për këtë rast.

Më 28 gusht, Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi se ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e paraburgimit.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb