Stuhia që goditi vendin tonë këtë të shtunë ka rrezikuar jetën e një parashutisti maqedonas.
Ka qenë posta policore e Shën Naumit, Maqedoni e Veriut që ka dhënë alarmin te autoritetet shqiptare se një parashutist ishte ngritur në fluturim dhe si pasojë era e fortë e kishte devijuar. Dyshohej se ai kishte rënë në fshatin Alarup, në Pogradec.
Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke bërë të mundur lokalizimin e tij dhe kanë marrë kontakt me sportistin, V. P., i cili ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga ana e shërbimeve të Policisë së Korçës, është bërë e mundur dërgimi i këtij shtetasi në pikën kufitare të Tushemishtit, i cili ka kaluar për në Maqedoninë e Veriut.
Territori shqiptar u godit ditën e sotme nga një stuhi e cila u shoqërua me erë të fortë dhe reshje intensive shiu.
(BalkanWeb)
