Stuhia e fortë e kësaj të shtunë ka përfshirë disa qytete të Shqipërisë, duke shkaktuar dëme dhe probleme në qarkullim.
Në Vlorë, reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta, u shoqëruan me dallgë në zonën bregdetare, duke krijuar vështirësi në lëvizjen pranë vijës së detit dhe në qarkullimin rrugor si edhe probleme për shkak të ujëmbajtjes në disa akse. Lundrimet detare janë kufizuar për shkak të kushteve të motit.
Në Lezhë, për shkak të stuhisë pati përmbytje në disa zona kryesore, mes tyre në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja. Niveli i ujit ka arritur deri në 30 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Situata e rënduar nga moti i keq solli ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, edhe në zonën turistike të Shëngjinit. Për shkak të motit shumë pushues u larguan nga plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit, duke krijuar trafik të rënduar në akset Shkodër–Lezhë dhe Lezhë–Milot.
Me të njëjtat problematika është përballur edhe zona e Durrësit.
Moti i keq përfshiu edhe Juglindjen e vendit. Reshje të dendura pati në Korçë, ndërsa në Pogradec, përgjatë shëtitores disa pemë janë thyer por pa dëme në njerëz e automjete.
Në aksin rrugor Burrel- Milot, reshjet shkaktuan rrëshqitje gurësh, duke bllokuar trafikun dhe krijuar rrezik për përdoruesit e saj, një fenomen përsëritet sa herë që ka reshje.
Ndërkaq, përveç reshjeve, stuhia e erës në Berat, ka shkaktuar zjarr në shkurret e ferrat e rrethimit të Bazës Ajrore të Natos në Kuçovë. Era e fuqishme ka këputur kabujt e energjisë elektrike dhe si pasojë, shkëndijat e kabllove kanë rënë në kontakt me barin e shkurret e thata përreth pistës së aviacionit, duke shkaktuar zjarr.
Zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe përreth zonës duke rrezikuar banesat pranë.
