Stuhia e cila përfshiu sot Shqipërinë, ka sjellë pasoja në disa zona.
Përveç përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe dëmeve nga stuhia e erës, probleme janë raportuar edhe me furnizimin me energji elektrike.
Disa zona në Durrës kanë raportuar problematika, ndërsa e njejta duket se ka ndodhur edhe në kryeqytet.
Banorët e zonës së Linzës kanë kontaktuar me redaksinë e BalkanWeb, duke u ankuar se prej 9 orësh janë pa energji elektrike. Kjo sjell rrjedhimisht edhe mungesën e furnizimit me ujë.
“Sa herë që ka stuhi dhe shi, ne banorët e zonës Linzë që jemi vetëm 15 minuta larg qendrës së Tiranës mbetemi pa energji elektrike. Rrjedhimisht jemi edhe pa ujë. Na ka ndodhur të mbesim edhe 2 apo tre ditë pa energji elektrike dhe ujë, dhe kemi frikë se një rast i tillë mund përsëritet”, janë shprehur ata.
Ndërkohë të kontaktuar nga BalkanWeb, OSHEE ka reaguar duke bërë me dije se kjo ka ardhur si pasojë e djegies së transformatorit në nënstacionin HEC Lanabregas.
(BalkanWeb)
