Me Tafasin në portë, reparti i mbrojtjes është ai që i shkakton më shumë “dhimbje koke” stafit teknik. Në mungesë të alternativave të tjera, dyshja Lleshi – Soler do të vendoset në qendër, ndërsa krahët do t’u besohen Verës në të djathtë dhe Valerianosit në të majtë.

Të dy këta të fundit do të kenë detyra të dyfishta. Sigurimin e mbrojtjes dhe ofrimin e mbështetjes për repartin ofensiv. Një mbrojtje e re, që ende nuk është testuar plotësisht, mund të përbëjë rrezik nëse Vora shfrytëzon hapësirat.

MESFUSHA

Në qendër, Rafael mbetet lojtari kryesor për ekuilibrin dhe shpërndarjen e topave. Përkrah tij, dilema është mes Markut dhe Voglit, dy profile që i japin karakter të ndryshëm mesfushës. Marku me më shumë disiplinë dhe punë prapa, ndërsa Vogli me freski dhe ide ofensive. Ky vendim i trajnerit Mile mund të ndikojë direkt në mënyrën sesi Tirana do ta nisë lojën. Më të kujdesshme apo më sulmuese.

ARMA MË E FORTË E BARDHEBLUVE

Në avancim, Tabeku, Patsatsia dhe Haxhiu përbëjnë një treshje të shpejtë dhe dinamike, të aftë të godasin me kundërsulme dhe kombinime në hapësira. Ernest, i vendosur në majë, është finalizuesi kryesor dhe pritet të ketë në këmbë shanset më të mira për të vulosur rezultatin. Forma e tij do të jetë vendimtare, pasi Tirana shpesh ka vuajtur nga mungesa e konkretizimit në raste të pastra. Edhe në ndeshjen me Bylisin, Tirana dështoi të shënonte gol dhe një traversë ishte shumë pak për bardheblutë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb