Trupi i pengut Idan Stevie, i cili u nxor nga Forcat e Armatosura Izraelite dje, të shtunën në Rripin e Gazës, është identifikuar, njoftoi Izraeli.
Idan Stevie, sipas Times of Israel, u vra gjatë sulmit të Hamasit në festivalin e muzikës në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.
Ai ishte një entuziast i natyrës dhe fotografisë, dhe studionte qeverisje dhe zhvillim të qëndrueshëm në Universitetin Reichman në qytetin e Herzliyas, Izrael.

Pas gjetjes së trupit të Stevie-t, Izraeli thotë se 48 pengje janë ende në enklavën palestineze, nga të cilët besohet se vetëm 20 janë gjallë.
Në një postim mbi gjetjen e trupit, Forumi i Pengjeve të Gazës shprehu mbështetjen e tij për familjen e pengut të ndjerë dhe vuri në dukje se “kthimi i pengjeve në atdheun e tyre është e vetmja rrugë për shërimin e plagës kombëtare”.
“Zemrat tona janë me familjen e Stevie-t sot. Pavarësisht trishtimit dhe dhimbjes, kthimi i tij i ofron familjes një ndjenjë plotësie dhe ngushëllimi pas 694 ditësh të mundimshme pritjeje për kthimin e tij”, thanë ata, duke falënderuar autoritetet izraelite që “e bënë të mundur kthimin e tij”.
“Populli i Izraelit dëshiron t’i shohë të gjithë pengjet të kthyera në shtëpi: disa për shpëtim dhe rehabilitim, të tjerë për një varrim të duhur, përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, thanë ata.
