Në kuadër të seancave të Gjykatës Speciale në Hagë, ku po zhvillohet gjyqi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, pritet që mbrojtja e tij të nisë prezantimin e provave dhe dëshmitarëve. Një nga dëshmitarët kyç, i identifikuar si 1DW-003, ka shkaktuar kërkesa nga pala amerikane për vendosjen e disa kufizimeve gjatë dhënies së dëshmisë së tij.

Sipas dokumenteve zyrtare të Gjykatës Speciale, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që ekzaminimi direkt i dëshmitarit të përqendrohet vetëm në tema të caktuara, ndërsa kundër-ekzaminimi të kufizohet në pyetjet që lidhen me ekzaminimin direkt dhe besueshmërinë e dëshmitarit. Gjithashtu, dëshmitarit i jepet e drejta të refuzojë përgjigjet në pyetje që prekin çështje konfidencialiteti.

Një tjetër kërkesë është që përfaqësues të Qeverisë së SHBA-së të jenë të pranishëm gjatë dhënies së dëshmisë, për të garantuar respektimin e këtyre kushteve. Mbrojtja e Hashim Thaçit ka marrë tashmë miratimin nga autoritetet amerikane për përdorimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, i cili mbetet anonim për publikun. Në vijim, pritet dorëzimi formal i kërkesës për vendosjen e këtyre kushteve në procesin gjyqësor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: