Emilio Fede, një nga emrat më të njohur të televizionit italian, është ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare. Ai vdiq në qendrën për të moshuarit “San Fedele” në Segrate, afër Milanos. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët dhe burime të afërta me institucionin ku ai po merrte kujdes.

Sipas mediave italiane, në momentet e fundit, Fede ishte i rrethuar nga vajzat e tij, Simona dhe Sveva. Emilio Fede ka lënë një trashëgimi të rëndësishme në fushën e gazetarisë televizive, duke qenë për shumë vite drejtues dhe prezantues i lajmeve në rrjetin Mediaset, i krijuar nga ish-kryeministri i ndjerë Silvio Berlusconi.

Me një stil të veçantë dhe shpeshherë provokues, Fede u bë i njohur si një nga përkrahësit më të zjarrtë të Berlusconit në media. Ai ka qenë figura kryesore e edicionit informativ TG4 për një kohë të gjatë, duke u bërë simbol i përkushtimit ndaj agjendës politike dhe mediatike të liderit të qendrës së djathtë në Itali.

(Balkanweb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: